Ish presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas vrasjes së 25-vjeçares Jetlira në Malishevë, e cila ishte shtatzënë.
Osmani ka shprehur ngushëllime për familjen, duke e cilësuar rastin si një tragjedi të rëndë, ku u shuan dy jetë.
“Një grua e re dhe jeta që po rritej brenda saj humbën jetën në mënyrën më tragjike. Jetlira, vetëm 25 vjeç, dyshohet se u vra nga bashkëshorti i saj. Bashkë me të u shua edhe një jetë që ende nuk kishte ardhur në këtë botë”, ka shkruar Osmani.
Ajo ka kërkuar që drejtësia ta zbardhë plotësisht rastin dhe përgjegjësia të jetë e plotë.
“Drejtësia duhet të flasë dhe përgjegjësia duhet të jetë e plotë. Por mbi të gjitha, shoqëria jonë nuk mund të heshtë më e as ta normalizojë dhunën”, ka deklaruar Osmani.
Sipas saj, kjo ngjarje është një alarm për të gjithë shoqërinë dhe kërkon reagim të menjëhershëm institucional.
“Kjo vrasje e dyfishtë është krim mizor që meriton dënimin më të lartë, është alarm për shoqërinë në tërësi dhe kërkon reagim të menjëhershëm e të pakompromis institucional”, ka shkruar ajo.




