Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka njoftuar se do të dorëzojë kallëzim penal ndaj deputetit Avni Dehari në Prokurorinë Speciale, nën dyshimin për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, tha se Dehari, si kryesues i përkohshëm i seancës konstituive, nuk e ka vazhduar seancën brenda afatit prej 48 orësh, pavarësisht kërkesave të përsëritura të opozitës.
Sipas PDK-së, mosvazhdimi i seancës ka penguar konstituimin e Kuvendit dhe ushtrimin e kontrollit parlamentar ndaj Qeverisë.
PDK-ja kërkon nga Prokuroria Speciale të hetojë përgjegjësinë e mundshme penale të Deharit.




