Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur të pafajshëm ministrin në detyrë të Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, në rastin për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.
Gjatë shpalljes së aktgjykimit, gjykatësja Edita Çanta deklaroi se Konjufca lirohet nga akuza për përdorimin e armës apo mjetit të rrezikshëm.
Rasti lidhet me një incident të vitit 2016, kur Konjufca, atëherë deputet, kishte hedhur gaz lotsjellës në sallën e Kuvendit. Për një akuzë tjetër, atë për pengim të personit zyrtar, ishte konstatuar më herët parashkrimi.
Vendimi i sotëm vjen pas rigjykimit të rastit, pasi Gjykata e Apelit kishte kthyer në shqyrtim vendimin e mëparshëm lirues.




