Platforma qytetare “Liria ka Emër” ka njoftuar për aktivitetet që do të zhvillohen në Kosovë dhe Hagë para shpalljes së vendimit më 16 shtator në çështjen ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së.
Përfaqësuesi i platformës, Ismail Tasholli, bëri të ditur se më 15 shtator në Hagë do të mbahet një tubim paqësor me pjesëmarrjen e mërgatës shqiptare. Aktiviteti, i quajtur “Nata e Pritjes”, pritet të nisë në orën 22:00 dhe të zgjasë deri në shpalljen e vendimit.
Ndërkohë, Eliza Hoxha prezantoi aktivitetet që po zhvillohen në disa komuna të Kosovës, përfshirë vendosjen e orëve të numërimit mbrapsht dhe dekorimin e hapësirave publike.
Platforma ka bërë thirrje edhe për aktivitete edukative në shkolla lidhur me historinë e luftës së Kosovës dhe UÇK-në.
Aktivitetet do të kulmojnë me Marshin për Liri më 12 shtator në Prishtinë dhe tubimin në Hagë më 15 dhe 16 shtator.




