Deputetë të PDK-së dhe Aleancës kanë zhvilluar edhe sot aktivitetin e tyre para objektit të Qeverisë së Kosovës, ku kësaj radhe iu bashkuan edhe përfaqësues lokalë, asamblistë dhe aktivistë politikë nga Skenderaj e Istogu.
Përfaqësuesit e këtyre subjekteve kërkuan që të rifillojë procesi i konstituimit të Kuvendit dhe të krijohen institucionet e vendit, duke e konsideruar situatën aktuale si të dëmshme për funksionimin e shtetit.
Nënkryetari i Skenderajt, Fadil Nura, tha se përfaqësuesit lokalë janë aty për të mbështetur deputetët dhe për të kërkuar nga mazhoranca që të marrë përgjegjësinë për zhbllokimin e institucioneve.
Edhe kryetari i PDK-së në Istog, Ali Nimanaj, u bëri thirrje institucioneve qendrore që të vazhdojnë procesin e konstituimit. Ai ngriti shqetësime edhe për gjendjen e komunave dhe fermerëve, duke theksuar se vonesat institucionale po ndikojnë në realizimin e projekteve dhe në përballimin e dëmeve nga fatkeqësitë natyrore.
Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, deklaroi se protesta tashmë është shndërruar në një çështje që, sipas tij, prek të gjithë qytetarët. Ai akuzoi mazhorancën për shkelje të Kushtetutës dhe për probleme në sektorët e energjisë dhe shëndetësisë.
Lushtaku paralajmëroi se, nëse situata vazhdon, protestat mund të marrin përmasa më të mëdha.
Ndërkaq, deputetja e Aleancës, Albana Bytyqi, i bëri thirrje kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që të rikthehet në Kuvend dhe të kontribuojë në formimin e institucioneve.
Ajo tha se problemet me të cilat po përballet vendi duhet të trajtohen në Kuvend dhe kërkoi që procesi institucional të vazhdojë sa më shpejt.




