Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka intensifikuar kontrollet për parandalimin e shitjes së produkteve të duhanit te të miturit dhe tregtimit të kundërligjshëm të tyre.
Gjatë ditës së sotme, inspektorët kanë kryer 10 kontrolle në Gjakovë dhe Pejë, ku janë shqiptuar dy urdhëresa për eliminimin e parregullsive.
Kontrollet përfshijnë shitjen e cigareve elektronike, veçanërisht pranë institucioneve arsimore, si dhe shitjen e cigareve të zakonshme në markete. Inspektorët po verifikojnë edhe dokumentacionin dhe origjinën e produkteve të duhanit.
Sipas ligjit, shitja e duhanit te të miturit mund të dënohet me gjoba nga 1,000 deri në 10,000 euro, ndërsa për mungesë dokumentacioni ose mosdeklarim të origjinës parashihen gjoba nga 3,000 deri në 9,000 euro.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit u ka bërë thirrje qytetarëve të raportojnë rastet e shitjes së duhanit te të miturit.




