Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, kanë marrë vendim me të cilin ia kanë vazhduar masën e paraburgimit ish-presidentit Hashim Thaçi, në rastin ku bashkë me Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, akuzohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Vendimi është marrë më 10 tetor 2025 nga kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.
Trupi gjykues ka konstatuar se ka mungesë të informacioneve që do të justifikonin konstatimet se Thaçi mund t’i arratiset drejtësisë në rast që lirohet. Por, trupi gjykues është bindur se i akuzuari mund të pengojë procedurat e DhSK-së dhe të kryejë krime ndaj atyre që perceptohen kundërshtarë të UÇK-së, duke përfshirë edhe dëshmitarët që kanë dhënë ose mund të japin dëshmi edhe në procedura paralele.
Po ashtu, paneli ka konstatuar se asnjë prej kushteve të tjera alternative nuk mund t’i zbusë mjaftueshëm këto rreziqe, raporton Betimi për Drejtësi.Si rrjedhojë, u konstatua se paraburgimi ndaj Thaçit edhe për dy muaj të tjerë është i nevojshëm dhe i arsyeshëm.




