Policia e Kosovës, pas themelimit të Shoqatës Sportive dhe krijimit të ekipeve sportive, po vazhdon të shënojë rezultate të larta në fusha të ndryshme sportive dhe aktivitete sensibilizuese, duke dëshmuar përkushtim ndaj zhvillimit fizik, promovimit të vlerave ekipore dhe mbështetjes së kauzave humane.
Në kuadër të Ligës së Parë të Futsallit të organizuar nga Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), ekipi FC Futsal – Policia e Kosovës ka arritur fitoren e tretë radhazi, duke treguar lojë të disiplinuar dhe nivel të lartë profesional.
Ndërsa në Superligën B të Volejbollit të Kosovës, KV Policia e Kosovës po ashtu ka shënuar fitore duke treguar progres të dukshëm në arenën kombëtare.
Suksese ka arritur edhe në sportin e karatesë, ku përfaqësuesi i Klubit të Karatesë të Policisë së Kosovës fitoi medaljen e argjendtë në kategorinë +84 kg, në Turneun Ndërkombëtar “Zahir Pajaziti”, duke përfaqësuar me dinjitet institucionin dhe sportin policor.
Po ashtu, me iniciativën dhe mbështetjen e drejtorit të Përgjithshëm, kolonel Gazmend Hoxha, në bashkëpunim me Auto Moto Club Kosova (AMCK) dhe Federatën e Auto Sporteve të Kosovës (FASK), Policia e Kosovës mori pjesë në garën e Auto Slalom me vetura elektrike, mbajtur më 25 tetor 2025 në Prishtina Mall.
Ky aktivitet kishte për qëllim promovimin e sigurisë në komunikacion, përdorimin e veturave elektrike, mbrojtjen e mjedisit, si dhe sensibilizimin për mbështetjen e personave që përballen me sëmundjen e kancerit, në kuadër të muajit tetor – muajit të ndërgjegjësimit kundër kancerit.
Në garë morën pjesë 82 zyrtarë policorë nga të gjitha rajonet e vendit, duke dëshmuar përkushtimin e Policisë së Kosovës për siguri, inovacion dhe përgjegjësi shoqërore.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në zhvillimin e aktiviteteve që forcojnë imazhin institucional, nxisin kulturën sportive dhe kontribuojnë në ndërtimin e një shoqërie më të shëndetshme, të sigurt dhe solidare.




