Për gati tre orë, biznesmeni Behgjet Pacolli u mor në pyetje nga Prokuroria e Tiranës në lidhje me konfliktin që ka me bashkëaksionerin Valon Ademi në ndërtimin e Aeroportit të Vlorës.
Marrja në pyetje e Pacollit u krye si person që ka dijeni për rrethanat e ngjarjes dhe konfliktin me aksionerin Valdon Ademin dhe ish-administratorin e kompanisë “Vlora Internacional Airoport”, Valon Lluka.
Në komunikimin e shkurtër për mediat, Pacolli tha se ka besim te drejtësia dhe se konflikti nuk ka asnjë prapavijë politike.
Biznesmeni është paditur në prokurorinë e Tiranës nga aksioneri i minorancës në koncesionin e ndërtimit të aeroportit të Vlorës.
Ademi ka akuzuar publikisht Behgjet Pacollin për mashtrim. Thelbi i konfliktit të dy ortakëve në ndërtimin e aeroportit ka qenë ndarja e aksioneve, ku Ademi zyrtarisht ka 2 për qind të tyre, por pretendon 47 për qind.
Përplasja mes tyre ka çuar edhe në shkarkimin e administratorit të parë të kompanisë së aeroportit të Vlorës, ndërsa i dyti ka dhënë dorëheqjen pak ditë më parë.




