Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka dorëzuar të premten në Gjykatën Kushtetuese një lëndë që lidhet me zhvillimet e fundit në Kuvendin e Kosovës, të cilat, sipas këtij subjekti politik, përbëjnë cenim të rendit kushtetues dhe të parimeve themelore të demokracisë.
Në kërkesën drejtuar Kushtetueses, LDK ka parashtruar shqetësimin për mënyrën e përzgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, konkretisht për çështjen e votimit të fshehtë dhe rolin e Komisionit për votim.
Përfaqësuesi i LDK-së, Shkëmb Manaj, tha se presin një vendim sa më të shpejtë nga Gjykata Kushtetuese për të sqaruar situatën aktuale.
“Rregullorja e Punës së Kuvendit e përcakton qartë se procedurat nuk mund të ndërpriten apo ndryshohen në mënyrë të njëanshme. Duhet të vazhdohet me votim të hapur dhe të përmbyllet konstituimi i Kuvendit me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve”, deklaroi Manaj.




