Me nisjen e sezonit të verës, bashkatdhetarët kanë filluar të kthehen në Kosovë, duke sjellë një rritje të përkohshme të qarkullimit në pikat kufitare.
Sipas informacionit të publikuar nga Qendra për Menaxhim Kufitar, deri në mëngjesin e së dielës, nuk ka pasur flukse të mëdha të automjeteve në hyrje ose dalje të vendit. Në orën 06:55, pritjet në të gjitha pikat kufitare ishin të shkurtra, duke variuar nga 3 deri në 5 minuta.
Autoritetet kufitare nuk kanë raportuar për kolona të gjata, por parashikojnë që fluksi të rritet në ditët e ardhshme, duke u intensifikuar me ardhjet nga diaspora. Pasi që priten flukse më të mëdha, qytetarët udhëtarë këshillohen të qëndrojnë të informuar përmes kanaleve zyrtare për të shmangur vonesat.




