Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar pas ankesave të Partisë Demokratike të Kosovës për votat në Mitrovicë.
Sipas tij, para se të futej LVV në garat zgjedhore, kishte vjedhje industriale të votave, kryesisht në zonat që njiheshin si bastione të PDK-së dhe kjo akuzë nga PDK është një rrëfim për mëkatin e tyre.
Murati thotë se Kosova shquhet për zgjedhje të lira që zhvillohen pa probleme të theksuara me meritë të LVV-së, komisionerëve dhe vëzhguesve të saj që ndër vite kanë mbrojtur votën dhe integritetin e zgjedhjeve.
Murati e quan PDK-në edhe si partia që do të hyjë në histori se i nxorri simpatizuesit e saj në shesh për të festuar humbjen, jo një herë por dy herë brenda një muaji, e tash po kërkon shfajësim për dështimin.




