Kosova po përballet me rënie të ndjeshme të popullsisë, e nxitur kryesisht nga emigrimi masiv dhe ulja e lindshmërisë. Në tryezën e organizuar në Prishtinë nga UNFPA, në kuadër të Ditës Botërore të Popullsisë, u theksua se kjo situatë kërkon ndërhyrje të menjëhershme.
Raporti global i UNFPA-së “Gjendja e Popullsisë Botërore 2025” nënvizon se sfida kryesore nuk është rënia e fertilitetit, por sistemet që pengojnë individët të krijojnë familjet që dëshirojnë. Shefja e UNFPA-së në Kosovë, Visare Mujko-Nimani, tha se kujdesi për fëmijë është i papërballueshëm, banimi i shtrenjtë dhe puna e pasigurt. Ajo bëri thirrje për leje të paguar prindërore për të dy prindërit dhe kushte pune fleksibile.
Koordinatorja e Zhvillimit të OKB-së në Kosovë, Arnhild Spence, theksoi se Kosova nuk është më në rritje. Që nga viti 2011, popullsia është tkurrur me 8%, ndërsa fertiliteti ka rënë nga 2.3 në 1.8. Me rritjen e numrit të të moshuarve, dritarja për përfitim nga dividenti demografik po ngushtohet.
Drejtori i Institutit Riinvest, Alban Hashani, theksoi se sipas të dhënave të regjistrimit të vitit 2024, vendi po përjeton një transformim të shpejtë demografik. Ndërkohë që Prishtina vazhdon të zgjerohet, komunat e vogla, sidomos ato kufitare, po boshatisen.
Nga viti 2020 deri më 2024, mbi 151 mijë qytetarë janë larguar nga Kosova në kërkim të një jete më të mirë jashtë vendit.




