Organizatat e shoqërisë civile janë mbledhur sot para hyrjes kryesore të Kuvendit të Kosovës për të protestuar kundër bllokadës politike dhe ngërçit institucional që ka përfshirë vendin.
Në pankartat e tyre lexoheshin mesazhe si: “Kur t’ju bëhet BOLL – Tregoni”, “Kërkohet konkurs për deputetë të rinj” dhe “Krizën çojeni në shtëpi”.
Ky tubim po zhvillohet në prag të mbajtjes së seancës së Kuvendit, ku për të 45-tën herë po tentohet të bëhet konstituimi i legjislaturës së re, pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 9 shkurt.
Kosova ndodhet ende në pritje të formimit të institucioneve të reja, pasi procesi ka ngecur në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Lëvizja Vetëvendosje, në bashkëpunim me Guxo dhe Alternativa, nuk ka arritur të sigurojë shumicën prej 61 votash për kandidaturën e Albulena Haxhiut.
Kërkesa për votim të fshehtë dhe vetë emërimi i Haxhiut po hasin në kundërshtime të forta nga partitë e tjera parlamentare.




