Gjatë një adresimi në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ekrem Hyseni, u ndërpre nga kryesuesi Avni Dehari.
Hyseni kritikoi fort qasjen e shumicës në pushtet, duke i akuzuar për kapje të institucioneve dhe për shkelje të dispozitave kushtetuese. Ai theksoi se Kuvendi duhet të fokusohet në çështje të rëndësishme ligjore dhe jo në obstruksione politike.
LDK-ja ka paraqitur një kërkesë ndaj Vetëvendosjes që të rikthehen në trajtimin e çështjeve të parashikuara në rendin e ditës, me qëllim të vazhdimit të funksionimit institucional.
“Përballë kemi pushtetarë, jo përfaqësues të qytetarëve. Po shohim uzurpim të institucioneve, shkelje të Kushtetutës dhe shmangie nga procedurat që kërkon një seancë normale parlamentare. Këto janë prova të qarta që ata veprojnë vetëm sipas interesave të tyre pushtetare. Në vend të kësaj, ne duhet të fokusohemi në ligje, projektligje dhe vendime me rëndësi për vendin”, deklaroi ai nga foltorja.




