Presidenti amerikan, Donald Trump, paralajmëroi se hapësira ajrore mbi dhe përreth Venezuelës duhet të konsiderohet e mbyllur.
Ky paralajmërim i lëshuar më 29 nëntor shënon përshkallëzimin e fundit në mosmarrëveshjet mes Trumpit dhe Nicolas Maduros të Venezuelës.
“Për të gjitha linjat ajrore, pilotët, trafikantët e drogës dhe trafikantët e qenieve njerëzore”, shkroi Trump në rrjetin e tij social, Truth Social, “ju lutem konsiderojeni HAPËSIRËN AJRORE MBI DHE PËRRETH VENEZUELËS SI TË MBYLLUR PLOTËSISHT”.
Presidenti amerikan nuk dha detaje të tjera për këtë çështje.
Deklarata vjen në kohën kur administrata e Trumpit po shton presionin ndaj Venezuelës me një dislokim të madh ushtarak në Karaibe, që përfshin aeroplanmbajtësen më të madhe në botë.
Uashingtoni thotë se synimi është frenimi i trafikut të drogës, por Karakasi këmbëngul se qëllimi përfundimtar është ndryshimi i regjimit në Venezuelë.
Forcat amerikane kanë kryer sulme kundër më shumë se 20 anijeve të dyshuara për kontrabandë droge nga Venezuela në Detin e Karaibeve dhe Oqeanin Paqësor që nga fillimi i shtatorit, duke vrarë më shumë se 80 persona.
Tensionet rajonale janë rritur si rezultat i fushatës dhe dislokimit ushtarak.




