Ena Kadaj, motra e këshilltares së presidentes, Donika Kadaj Bujupit, ka hyrë në garë për deputete të Kuvendit, raporton Periskopi.
Në zgjedhjet e 28 dhjetorit, Kadaj do të garojë në kuadër të partisë boshnjake “VAKAT”.
Ndërkohë, kandidimin e saj nuk e ka mirëpritur një ish deputete e kësaj partie.
Duda Balje ka thënë se garimi i Kadajt është qëllimisht për të keqpërdorur vendet e rezervuara për komunitetet joshumicë në Kosovë.
Ajo madje, garimin e Kadajt e ka lidhur si sulm i VAKAT karshi Baljes.
“Ky nuk është sulmi i parë nga VAKAT. Para dy zgjedhjeve, VAKAT ka marrë vota edhe nga komunat serbe dhe ka provuar të marrë vende me vota të serbëve. Tani po përpiqet edhe me zonjën Ena. Unë e respektoj, por nuk e njoh personalisht, nuk e kam parë kurrë në jetën time, dhe mendoj se ky veprim nuk është fer”, tha ajo.
E akuzave të Baljes, iu kundërpërgjigjen nga partia boshnjake.
Në një reagim në Facebook, thonë se Duda Balje po dëshiron të krijojë përçarje brenda komunitetit boshnjak, dhe se sipas tyre, nuk do të rrezikohen vendet e garantuara.




