Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se partia e tij ka dorëzuar 17 kallëzime penale në Prokurorinë Speciale kundër personave që, sipas tij, kanë ushtruar funksionin e ministrit dhe të deputetit njëkohësisht.
Ai theksoi se, pas vendimit të Gjykatës Supreme, presin veprim konkret nga Prokuroria.
Gjykata Supreme ka shfuqizuar si të paligjshëm një udhëzim administrativ të lëshuar nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati. Ky udhëzim kishte të bënte me përdorimin e pajisjeve elektronike fiskale, sistemeve fiskale dhe softuerëve përkatës. Ai ishte publikuar në Gazetën Zyrtare më 16 prill, vetëm një ditë pasi ishte miratuar nga Murati, i cili ndërkohë kishte marrë mandatin si deputet pas zgjedhjeve të shkurtit.




