Rrezarta Krasniqi nga LDK-ja, e cila do të garojë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit me numër 36, ka kritikuar ashpër Qeverinë Kurti, duke e cilësuar atë si qeveri që e ka harruar popullin e Kosovës.
Ajo veçoi si problem kryesor inflacionin dhe çmimet e larta, duke thënë se qytetarët përballen me vështirësi të mëdha për të përmbushur nevojat e përditshme.
“Kur të shkosh te arka duhet me mendu cilin produkt me e heq”, u shpreh Krasniqi, duke nënvizuar se vendimet e Qeverisë nuk reflektojnë nevojat reale të qytetarëve dhe se mungon kujdesi për jetën e përditshme të tyre.
Ajo shtoi se qytetarët do të përdorin votën e tyre për të ndëshkuar keqqeverisjen e kryeministrit Kurti dhe Lëvizjes Vetëvendosje.
“28 dhjetori është dita kur do të marrë fund pushteti i këtyre njerëzve që e dëmtuan shtetin e Kosovës”, deklaroi Krasniqi, duke i bërë thirrje qytetarëve që të reagojnë përmes procesit demokratik.
Kritikat e saj pasqyrojnë një mesazh të qartë për prioritetet e saj politike, duke treguar angazhimin për të adresuar çështjet ekonomike dhe sociale që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve para zgjedhjeve parlamentare.




