Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar lidhur me procesin e rinumërimit të votave, duke bërë të ditur se po e përcjell me vëmendje të shtuar të gjithë procesin, përfshirë mospërputhjet e evidentuara në disa komuna të vendit.
Në reagimin e saj, PDK ka theksuar se çdo dyshim për cenim apo manipulim të votës së qytetarëve është i papranueshëm dhe bie ndesh me parimet themelore demokratike. Sipas partisë, vota e qytetarëve duhet të trajtohet me respekt dhe kujdes të barabartë gjatë gjithë procesit zgjedhor.
PDK ka vlerësuar se eliminimi i çdo paqartësie apo dyshimi rreth procesit zgjedhor është në interes të kandidatëve, institucioneve dhe qytetarëve, duke kontribuar në besimin publik ndaj zgjedhjeve.
Partia ka bërë të ditur se po pret konkluzionet zyrtare të institucioneve përgjegjëse, përfshirë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, me besimin se rezultatet përfundimtare do të pasqyrojnë saktë vullnetin e qytetarëve dhe do të jenë në përputhje me ligjin.




