Prokuroria Themelore në Gjilan ka dorëzuar në Gjykatën Themelore kërkesë për caktimin e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj Arianit Sllamnikut, i dyshuar për veprat penale “Ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike” dhe “Eksperimente të kundërligjshme mjekësore dhe testime të barnave”.
Prokuroria ka konfirmuar se kërkesa është dorëzuar më 21 janar 2026, ndërsa gjykata pritet të vendosë lidhur me masën e sigurisë ndaj të dyshuarit.
Hetimet ndaj Sllamnikut kanë nisur pas raportimeve mediatike, ku ai dyshohet se, pa qenë mjek, pretendonte se ofronte “shërim” për autizmin tek fëmijët. Sipas dyshimeve, në këmbim të shumës prej rreth 4 mijë eurosh, ai u ofronte fëmijëve substanca dhe ilaçe të destinuara për kafshë.
Rasti mbetet nën hetim, ndërsa autoritetet kanë bërë të ditur se do të ndërmerren të gjitha veprimet ligjore për sqarimin e plotë të tij.




