Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë nisur një seri ligjëratash dhe komunikimesh informuese, të cilat, pas mediave, shoqërisë civile dhe fakulteteve juridike, tashmë po mbahen edhe me nxënësit e shkollave të mesme.
Një ligjëratë e tillë është zhvilluar së fundmi me nxënësit e shkollës së mesme “Xhevdet Doda” në Prishtinë. Pas aktivitetit, nxënësve u është kërkuar të vlerësojnë ligjëratën përmes një formulari, ku janë pyetur për organizimin, qartësinë dhe mjaftueshmërinë e informatave rreth Gjykatës Speciale.
Në disa prej vlerësimeve, nxënësit kanë shprehur pakënaqësi lidhur me përgjigjet e marra gjatë ligjëratës, ndërsa në pjesën e komenteve një nxënës ka shkruar kërkesën “Free Hashim Thaçi”.
Drejtori i shkollës ka deklaruar se ligjërata ishte organizuar nga një organizatë për të drejtat e njeriut dhe se temat kanë përfshirë sistemin e drejtësisë në përgjithësi, përfshirë edhe Gjykatën Speciale. Megjithatë, dokumenti i vlerësimit mban logon dhe të dhënat e Dhomave të Specializuara, duke treguar se aktiviteti lidhet me Njësinë e Komunikimit të kësaj gjykate.
Ende nuk dihet saktësisht kush i ka mbajtur ligjëratat dhe çfarë është trajtuar në mënyrë të detajuar, ndërsa pritet një sqarim zyrtar nga Dhomat e Specializuara.




