Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se procesi i rinumërimit të vendvotimeve pritet të përmbyllet të premten, më 30 janar. Sipas tij, rinumërimi ka hyrë në ditën e 17-të dhe deri më 29 janar janë rinumëruar rreth 88 për qind e vendvotimeve, përkatësisht 2,245 nga gjithsej 2,557.
Elezi theksoi se rinumërimi ka përfunduar në 34 komuna, ndërsa kanë mbetur edhe 312 vendvotime në katër komuna të fundit. Ai sqaroi se shpallja e rezultateve përfundimtare do të varet nga koha e përfundimit të rinumërimit dhe vendimi i KQZ-së, duke kujtuar se pas kësaj faze palët kanë të drejtë ankese në PZAP dhe Gjykatën Supreme, para certifikimit përfundimtar të rezultateve zgjedhore.




