Kosova nuk ka përfituar nga paketa prej 171 milionë eurosh e Komisionit Evropian për zhvillimin e infrastrukturës dhe sektorit privat në Ballkanin Perëndimor, për shkak të mosratifikimit të Marrëveshjeve të Huasë dhe të Lehtësimit në kuadër të Lehtësimit për Reformë dhe Rritje (RGF). Bashkimi Evropian ka konfirmuar se, pa përmbushjen e këtyre procedurave ligjore, pagesat për Kosovën nuk mund të realizohen.
Komisioni Evropian ka shprehur shpresën se kjo çështje do të zgjidhet së shpejti, duke rikujtuar se Kosova ka përfituar së fundmi 216 milionë euro ndihmë financiare. Ndërkohë, lirimi i shumës së mbetur prej 205 milionë eurosh pritet në fillim të këtij viti, çka do të mundësonte rifillimin e fondeve IPA dhe projekteve të Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor.




