Subjekti politik Lista Serbe ka paraqitur ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), pas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të mos përfshirë rezultatet e saj në shpalljen përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit 2025.
Ankesa është dorëzuar si reagim ndaj vendimit të KQZ-së të marrë javën e kaluar, ndërsa pritet që PZAP të shqyrtojë rastin dhe të dalë me vendim në ditët në vijim.
Lidhur me këtë situatë, ka reaguar edhe Misioni i OSBE-së në Kosovë, i cili ka theksuar rëndësinë e respektimit të standardeve ndërkombëtare zgjedhore.
Sipas OSBE-së, publikimi transparent dhe gjithëpërfshirës i rezultateve është thelbësor për garantimin e sigurisë juridike dhe trajtimit të barabartë të të gjitha subjekteve politike pjesëmarrëse në zgjedhje.
Misioni i OSBE-së ka bërë të ditur se do të vazhdojë ta monitorojë nga afër zhvillimin e mëtejmë të këtij procesi.




