Kërkimet në lumin Mat për gjetjen e një 30-vjeçari të zhdukur pas një aksidenti automobilistik po vazhdojnë pa ndërprerje, ka bërë të ditur Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, Arben Kingji.
Operacioni po realizohet nga efektivë të Batalionit të 3-të të Këmbësorisë së Regjimentit të Veriut, në bashkëpunim me një ekip të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Sipas Kingjit, angazhimi i përbashkët po zhvillohet me profesionalizëm të lartë dhe përkushtim maksimal.
Ai ka theksuar se ky operacion përfaqëson jo vetëm një mision kërkim-shpëtimi, por edhe një shprehje të fortë solidariteti dhe bashkëpunimi ndërinstitucional, duke ofruar mbështetje morale për familjen e të zhdukurit në këtë situatë të rëndë.
Kërkimet pritet të vazhdojnë edhe në orët dhe ditët në vijim, në varësi të kushteve dhe zhvillimeve në terren.




