Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka hedhur poshtë raportimet që e lidhin emrin e saj me dosjen “Epstein”, duke i cilësuar ato si tërësisht të pabaza dhe të pavërteta.
Në një postim në Facebook, Jahjaga theksoi se gjatë mandatit të saj nuk ka pasur njohje, takime apo kontakte me Epstein, dhe se çdo pretendim për një lidhje personale apo institucionale është i pavërtetë dhe nuk mbështetet në asnjë fakt.
“Përmendja e emrit tim lidhet vetëm me një korrespondencë elektronike të palëve të treta, e cila nuk dëshmon asnjë takim, njohje apo lidhje personale me mua. Emri im nuk përmendet në asnjë dokument të publikuar,” shkroi Jahjaga.
Sipas saj, në emailin e përmendur përmendet vetëm presidenti i Kosovës, pa specifikuar se për cilin president bëhet fjalë, dhe nuk ka kërkesa për takime në emër të saj apo të ndonjë përfaqësuesi të presidencës.
Jahjaga ka përfunduar duke theksuar se çdo raportim ndryshe është insinuatë dhe mashtrim i opinionit publik, gjë që mund të verifikohet lehtësisht nga vetë dokumentet.





