Sipas informatave zyrtare nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut, ka nisur zbatimi i sistemit elektronik për monitorimin e komunikacionit rrugor, i njohur si “Qyteti i Sigurt”.
Ky sistem funksionon përmes kamerave inteligjente dhe pajisjeve teknike që identifikojnë automatikisht shkeljet e rregullave të trafikut, në përputhje me legjislacionin në fuqi në Maqedoninë e Veriut.
Në fazën fillestare, monitorimi do të zbatohet në qytetet Shkup, Tetovë dhe Kumanovë, si dhe përgjatë Korridorit 8 dhe Korridorit 10.
Sistemi do të evidentojë shkelje si tejkalimi i shpejtësisë së lejuar, kalimi në semafor të kuq, ndalimi dhe parkimi i parregullt, si dhe qarkullimi me automjete të paregjistruara.
Për automjetet me targa të huaja, përfshirë edhe ato nga Kosova, shkeljet e regjistruara nga sistemi “Qyteti i Sigurt” do të njoftohen gjatë hyrjes ose daljes nga territori i Maqedonisë së Veriut.
Qytetarët e huaj gëzojnë të drejtën e pagesës së 50 për qind të gjobës brenda afatit prej tetë ditësh. Në rast mosmarrëveshjeje me shkeljen ose mosrealizimi të pagesës, rasti procedohet si kundërvajtje në gjykatën kompetente.
Ky njoftim u drejtohet qytetarëve me qëllim informimin, rritjen e kujdesit dhe respektimin e rregullave të trafikut gjatë udhëtimit dhe qëndrimit në Maqedoninë e Veriut.




