Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, së bashku me Odën Ekonomike Gjermano-Kosovare dhe Odën e Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës kanë mbajtur takim me bizneset, me të cilat është diskutuar sa i përket çështjes së furnizimit me energji elektrike për bizneset që janë dalë në treg të lirë.
Në këtë takim konsultativ, drejtuesit e bizneseve kanë shprehur shqetësimin për mungesë të informatave, pasigurisë për të ardhmen e tyre dhe veprimeve të KEK-ut, që po i largon orët aktuale të rrymës dhe po i vendos të vetat pa asnjë njoftim.
Si shoqatat e bizneseve ashtu edhe bizneset, kanë ripërsëritur qëndrimin e tyre se askush nuk është kundër liberalizimit të tregut të lirë të energjisë, por se paqartësitë, mungesa e informatave, tregu i pa përgatitur, vërtetuar edhe nga instancat ndërkombëtare, e bëjnë këtë proces të dyshimtë dhe dëmtues për ekonominë.




