Sindikalistët kanë reaguar për vdekjen e punëtorit 40 vjeçar në Drenas, në vendin e punës në kulmin e një ndërtese.
Ata thanë që kjo është vdekja e 21-të në vendin e punës në 7 muajt e parë të vitit dhe se kjo situatë është alarmante.
“Sot varrosim punëtorin e 21-të, vetëm për 7 muajt e parë të këtij viti. 2025-a ka filluar me periudhën me fatkeqe që nga pas lufta. Nga Janari deri me sot përcjellim 21 jetë të punëtorëve të cilët shkuan për të fituar ndershëm bukën e gojës, por fatkeqësisht 21 familje mbeten pa babën, burrin, vëllaun, fëmijën e tyre”, thuhet në komunikatën për media.
Në reagimin e tyre tutje thuhet se institucioneve shtetërore iu është kërkuar pension për familjarët e punëtorëve që kanë vdekur në vendin e punës.
“Pas shumë kërkesave për institucionet shtetërore që të ulemi dhe bisedojmë për këto raste, pushteti ka zgjedhur injorimin e kërkesave sindikale ku kemi kërkuar që në raste të tilla ajo çka me se paku mund të bëjë pushteti, të ketë një pension solid për këto familje sepse edhe fëmijët e këtyre familjarëve kanë të drejtë në ekzistencën minimale të jetës se tyre”, thuhet në reagim.
Dje u raportua se N.XH rreth 40 vjeç nga Drenasi, ka rënë nga lartësia gjatë kryerjes së punimeve në një kulm ndërtese. Ai është dërguar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Prizrenit, por ka ndërruar jetë si pasojë e lëndimeve të marra.




