Kryeministri Albin Kurti ka uruar mësuesit me rastin e 7 Marsit – Ditës së Mësuesit, duke theksuar rëndësinë e tyre në edukimin dhe formimin e brezave të rinj.
Kurti i përshkroi mësimdhënësit si “infrastruktura shoqërore mbi të cilën ndërtohet e ardhmja”, duke nënvizuar rolin e tyre në përcjelljen e dijes, zhvillimin e mendimit kritik dhe edukimin e qytetarëve me vlera.
Ai kujtoi gjithashtu se 7 Marsi përkon me ditën e tretë të Epopesë së UÇK-së, duke përmendur figurën e mësuesit patriot nga Prekazi, Shaban Jashari, dhe duke theksuar lidhjen mes mësimit për jetë dhe dashurisë për atdhe.
Në përfundim, Kurti falënderoi të gjithë mësuesit për punën e palodhur dhe kontributin e tyre, duke rikujtuar se investimi në arsim dhe mbështetja për mësuesit mbeten prioritet kryesor i Qeverisë.




