Ministria e Ekonomisë e Kosovës ka reaguar ndaj raportimeve se kishte refuzuar kërkesën e presidentes Vjosa Osmani për dhurimin e një minerali nga Muzeu Shtetëror i Mineraleve dhe Kristaleve “Trepça”.
Sipas ministrisë, kërkesa nga Zyra e Presidentes është pranuar më 16 shkurt 2026, vetëm një ditë para nisjes së Osmanit për një udhëtim zyrtar. Në reagim thuhet se kërkesa është trajtuar me urgjencë, por procedurat ligjore dhe administrative e kanë bërë të pamundur përmbushjen e saj në kohë.
Ministria theksoi se dhurimi ose shkëmbimi i mineraleve mund të bëhet vetëm pas rekomandimit të një komisioni profesional dhe me vendim përfundimtar nga institucionet përgjegjëse. Po ashtu, ajo ka theksuar se interpretimet që e lidhin këtë çështje me zhvillime politike janë të njëanshme.




