Gazetarët në Kosovë përballen me orë të gjata pune, presion, mungesë pushimesh dhe ngacmime. Këto u diskutuan në prezantimin e manualit “Të drejtat e punonjësve të medias, nga ligji te praktika”, nga Asosacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe Instituti Kosovar për Stabilitet.
Ekspertët theksuan se mungesa e një sindikate gjithëpërfshirëse dhe mekanizmave mbrojtës e vështirëson raportimin e shkeljeve. Ushtruesi i detyrës së Kryeinspektorit të punës, Vesel Zhinipotoku, përmendi punën jashtë orarit, në vikende dhe festa zyrtare, si dhe mungesën e kompensimit të drejtë dhe sigurisë në terren.
Gazetarja Iliri Pireva ndau përvojën e saj personale, duke treguar se u largua nga puna pasi kërkoi pushim gjatë festave. Ekspertët nënvizuan nevojën për respektim të ligjit dhe krijimin e kushteve të sigurta në media.




