Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar një letër urimi për mandatin e ri qeverisës nga kancelari i Republikës Federale të Austrisë, Christian Stocker.
Në letrën e tij, kancelari Stocker shprehu përgëzimet për formimin e qeverisë së re dhe uroi suksese në legjislaturën e re, duke theksuar rëndësinë e përparimit të Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë.
“Austria ka qenë mbështetëse e Kosovës që nga themelimi i saj dhe do të vazhdojë ta mbështesë në rrugën e saj evropiane,” thuhet në letrën e Stocker.
Kancelari gjithashtu vlerësoi rolin aktiv të diasporës kosovare në Austri, bashkëpunimin ekonomik ndërmjet dy shteteve dhe shprehu dëshirën për të takuar sërish kryeministrin Kurti. Ai e uroi gjithashtu kryeministrin me rastin e ditëlindjes së tij.




