Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përkujtoi martirët e Masakrës së Kotlinë, në përvjetorin e 27-të.
Ai rikujtoi ngjarjet e 24 marsit 1999, kur forcat serbe rrethuan fshatin me tanke dhe automjete të blinduara. Sipas Kurtit, pjesëtarë të Brigadës së Mekanizuar 243 të Ushtrisë së Jugosllavisë dhe njësite speciale policore mblodhën civilët në qendër të fshatit, duke ushtruar dhunë dhe keqtrajtim.
“Tre të moshuar u vranë mizorisht dhe trupat e tyre u dogjën. Gratë, fëmijët dhe të moshuarit u dëbuan me dhunë, ndërsa burrat u ndanë dhe u torturuan. Fshati u shkatërrua pothuajse tërësisht, ndërsa 35 të rinj u morën peng dhe 22 prej tyre u vranë, përfshirë edhe adoleshentë,” tha Kurti.
Ai shtoi se gjashtë muaj më vonë, ekipe të mjekësisë ligjore të Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë dokumentuan varreza masive, duke ofruar prova të krimeve dhe përpjekjeve për fshehjen e tyre.
Edhe pse ish-gjenerali serb Vlastimir Gjorgjeviq është dënuar nga drejtësia ndërkombëtare, autorët e drejtpërdrejtë të masakrës nuk janë gjykuar ende.
Kurti përkujtoi të vrarët me dhimbje dhe nderim, duke theksuar se drejtësia duhet të vijojë të kërkohet për të gjithë viktimat.




