Komisionerja e BE-së për Zgjerim, Marta Kos, ka hedhur poshtë propozimin e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, për përshpejtimin e integrimit të vendeve kandidate në tregun e përbashkët të BE-së dhe në hapësirën Shengen pa të drejtën e vetos.
Në një intervistë për Politico, Kos theksoi se procesi i integrimit kërkon përmbushjen e reformave komplekse, si për anëtarësimin ekonomik ashtu edhe për atë politik, dhe se vendimet e vendeve anëtare janë të domosdoshme për të ecur përpara. Ajo shtoi se Komisioni Evropian ka paraqitur tri opsione për politikën e zgjerimit: ruajtjen e status quo-së, integrim gradual dhe integrim fazor, ku as opsioni i tretë nuk është i pranueshëm sipas Komisionit.
Rama dhe Vuçiqi kishin propozuar që vendet kandidate të përshpejtojnë integrimin pa të drejtën e vetos, duke argumentuar se kjo do të lehtësonte shqetësimet e vendeve skeptike ndaj zgjerimit të BE-së. Kos nënvizoi se përpara se të merren vendime të tilla, nevojiten reforma të brendshme dhe koordinim i ngushtë me shtetet anëtare.




