Visar Azemi nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka deklaruar se një pjesë e madhe e njehsorëve elektrikë në Kosovë nuk matin saktë kohën, duke ndikuar drejtpërdrejt në faturimin e energjisë për qytetarët.
Në një intervistë në emisionin “DPT te Fidani”, ai tha se hulumtimi i tij ka nisur rastësisht disa muaj më parë, pasi kishte hasur në një njehsor për të cilin dyshonte se kishte problem teknik.
Sipas Azemit, nëse ora në njehsor nuk është e saktë, konsumatorët mund të paguajnë energjinë me tarifë më të lartë edhe kur besojnë se po shfrytëzojnë orarin më të lirë.
Ai theksoi se ka analizuar personalisht 884 njehsorë në disa qytete dhe se rreth 87 për qind e tyre nuk e matin saktë kohën, me devijime që sipas tij arrijnë deri në 15 orë diferencë.
Azemi shtoi se Zyra e Rregullatorit për Energji përcakton tarifat e energjisë në Kosovë, të cilat ndryshojnë sipas sezonit. Gjatë dimrit, tarifa më e lirë fillon nga ora 22:00, ndërsa gjatë verës nga ora 23:00.
Sipas tij, shumica e familjeve i përdorin pajisjet shtëpiake në këto orare për të kursyer, por nëse njehsorët nuk janë të sinkronizuar me kohën reale, atëherë energjia mund të faturohet me çmim më të lartë se sa pritet.




