Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) ka zhvilluar një takim pune me Ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të komunitetit të biznesit dhe Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kosovë.
Gjatë takimit, ministrja prezantoi programin dhe prioritetet e ministrisë, duke theksuar përmirësimin e kornizës rregullative dhe krijimin e një mjedisi më të favorshëm për bizneset. Ajo veçoi projektet për transformimin e gjelbër të parqeve industriale dhe ndërtimin e parqeve të reja sipas parimeve të ekonomisë qarkore.
Një ndër objektivat kryesore është ulja e deficitit tregtar përmes mbështetjes së prodhimit vendor, përfshirë trajtim preferencial në kontratat publike. Po ashtu, u prezantuan ligjet prioritare, si ai për çmimet tavan në situata krize, ligji për inovacion dhe ndërmarrësi, si dhe ai për pagesat e vonuara, në përputhje me Planin e Rritjes së Bashkimit Evropian.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e OEAK ngritën shqetësime të biznesit, duke kërkuar rishikimin e barrës fiskale për derivatet e naftës dhe krijimin e një kornize ligjore për trajtimin e humbjeve gjatë operimit. U theksua gjithashtu nevoja për më shumë mbështetje për sektorin e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit.
Ministrja njoftoi edhe për transformimin e Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), duke përfshirë mbështetjen për ndërmarrjet e reja, fuqizimin e grave dhe komuniteteve joshumicë, si dhe funksionalizimin e Fondit për Inovacion.
Në përfundim, Kusari-Lila theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me sektorin privat dhe gatishmërinë për ndërtimin e një partneriteti të qëndrueshëm për zhvillimin ekonomik të vendit.




