Një zëdhënëse e Bashkimit Evropian ka njoftuar për GazetaBlic se shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, është e gatshme të presë liderët e Kosovës dhe Serbisë për takime të Dialogut në nivel të lartë. Ajo ka theksuar se një takim i tillë pritet të mbahet së shpejti, por ende nuk është caktuar një datë konkrete, e cila do të njoftohet në kohën e duhur.
Në mesazhin e saj, Kallas ka shtuar se procesi i dialogut vazhdon përmes takimeve të rregullta dypalëshe dhe trepalëshe, të organizuara nga i dërguari i BE-së për dialogun, Peter Sorensen, në nivel të Kryenegociatorëve, si përgatitje për një takim të nivelit të lartë.
Po ashtu, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka njoftuar se do të udhëheqë dialogun për normalizimin e raporteve me Serbinë, që do të ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. Ky ndryshim është vlerësuar si një “momentum i ri” në procesin e dialogut, pas takimit të ministrit Glauk Konjufca me përfaqësuesin e posaçëm të BE-së, Peter Sorensen. Në mandatin e kaluar, Kosova është përfaqësuar në dialog nga kryeministri Albin Kurti dhe kryenegociatori Besnik Bislimi.




