Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti për mosgatishmëri në zgjedhjen e presidentit të ri, duke paralajmëruar se ai mund ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
Bajrami tha se Kurti kishte mundësi ta zgjedhë presidentin më herët përmes marrëveshjeve politike, por nuk e bëri.
Ajo theksoi se gjatë ditëve të fundit nuk u pa asnjë tentativë për avancimin e këtij procesi dhe se veprimet e kryeministrit tregojnë mungesë interesimi për stabilitetin institucional.
Deputetja gjithashtu tha se LDK-ja nuk do të votojë kandidatët e propozuar nga LVV-ja, duke theksuar se presidenti duhet të jetë një figurë unifikuese dhe jo pjesë e marrëveshjeve partiake.
Bajrami shtoi se nëse kalon afati kushtetues 34-ditor për zgjedhjen e presidentit, fajtori kryesor për bllokadën është kryeministri Kurti dhe LVV-ja.




