Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, i ka dërguar një letër Presidentes Vjosa Osmani, duke kërkuar që të emërohet pa vonesë anëtari i dytë i kësaj partie në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Në letër, Hamza thekson se vendimi i Gjykatës Kushtetuese në rastin KO81/26 ka sqaruar se përfaqësimi i PDK-së me dy anëtarë në KQZ është e drejtë kushtetuese.
Ai paralajmëron se mosveprimi do të përbënte shkelje të rendit kushtetues dhe do të krijonte precedent të rrezikshëm për institucionet.
Sipas tij, ndarja e vendeve në KQZ duhet të bëhet duke garantuar përfaqësim të drejtë për grupet parlamentare, ku dy vendet shtesë u takojnë partive më të mëdha, në këtë rast LVV-së dhe PDK-së. Hamza shtoi se çdo interpretim tjetër do të cenonte balancën institucionale.
Ai i bëri thirrje presidentes që të veprojë në përputhje me Kushtetutën dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, për të siguruar funksionimin e drejtë të KQZ-së.




