Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka pritur në takim ambasadorin e Hungarisë në Kosovë, László István Dux, me të cilin ka diskutuar për iniciativa në fushën e edukimit dhe qasjes në literaturë për fëmijët.
Rama ka bërë të ditur se bashkëpunimi ndërkombëtar po sjell rezultate konkrete, duke veçuar mbështetjen e Ambasadës së Hungarisë për bibliotekën e fëmijëve në kryeqytet përmes donacioneve me libra dhe materiale ndërkombëtare.
Sipas tij, kjo do të rrisë mundësitë e leximit dhe do të pasurojë jetën arsimore të fëmijëve, duke e vendosur dijen në qendër të zhvillimit të qytetit.




