Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL UÇK) ka reaguar ashpër pas vendimit të fundit të Gjykatës Speciale, duke e cilësuar si një goditje ndaj parimit të një procesi të drejtë.
Sipas OVL UÇK-së, leja për Prokurorinë që të dorëzojë materiale të reja pas mbylljes së rastit, duke i quajtur “njoftime” dhe jo “prova”, përbën një manovër të rrezikshme procedurale.
Organizata thekson se kjo cenon drejtpërdrejt barazinë e palëve në proces dhe kufizon mundësinë e mbrojtjes për një përballje të barabartë.
“Me këtë praktikë, drejtësia po shndërrohet në një proces të njëanshëm,” thuhet në reagim. OVL UÇK kërkon respektim të plotë të parimeve themelore të një gjykimi të drejtë dhe të paanshëm.




