Mbledhja e Komisionit për Ekonomi ka dështuar të mbahet për shkak të mungesës së kuorumit, duke pamundësuar raportimin e Bordit të ZRRE-së për tarifat e reja të energjisë.
Zëvendëskryetarja e komisionit, Janina Ymeri, tha se mungesa e anëtarëve është e qëllimshme dhe e orkestruar nga pushteti për të shmangur raportimin mbi situatën energjetike.
Sipas saj, ZRRE ishte ftuar për të raportuar jo vetëm për tarifat, por edhe për mungesën e planit të punës për vitin 2026, raportin vjetor për 2025 dhe çështje të tjera që lidhen me transparencën dhe vendimet gjyqësore.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, ngriti shqetësime për mungesën e përgjigjeve lidhur me afatet ligjore dhe shtyrjen e liberalizimit të tregut të energjisë.
Edhe Uran Ismaili theksoi se mungesa e pjesëmarrjes është e papërgjegjshme, duke akuzuar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje për mbrojtje të bordit të ZRRE-së.
Ndërkaq, Besnik Tahiri nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës deklaroi se kjo situatë dëshmon ndikim politik mbi ZRRE-në dhe paralajmëroi pasoja të rënda ekonomike në rast të rritjes së çmimeve të energjisë.




