Gjykata Supreme e Kosovës ka vendosur të ndërpresë masën e paraburgimit ndaj Florent Sylejmanit, njërit nga të dyshuarit në rastin e Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BSK).
Vendimi është marrë pas kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë të ushtruar nga mbrojtja e tij, duke ndryshuar aktvendimet paraprake të Gjykatës Themelore në Prizren dhe Gjykatës së Apelit.
Sipas njoftimit, Sylejmani dhe disa të pandehur të tjerë dyshohen për vepra penale si keqpërdorimi i besimit, keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike, falsifikimi i dokumenteve dhe vepra të tjera, të kryera në bashkëkryerje.
Gjykata Supreme ka aprovuar kërkesën e mbrojtjes dhe ka zëvendësuar paraburgimin me masën e arrestit shtëpiak, e cila do të zgjasë deri më 8 prill 2026.
Në arsyetimin e saj, Supremja ka theksuar se paraburgimi duhet të përdoret vetëm kur masat më të lehta nuk janë të mjaftueshme. Në këtë rast, sipas gjykatës, nuk janë konstatuar rrethana konkrete që justifikojnë vazhdimin e paraburgimit, si rreziku i arratisjes, ndikimi në prova apo përsëritja e veprës penale.




