Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit që ndërlidhen me Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke shprehur shqetësim për veprimet e Prokurorisë së Specializuar.
Sipas reagimit, opinioni publik në Kosovë dhe në mesin e shqiptarëve jashtë vendit është i shqetësuar për dërgimin e materialeve shtesë në gjykatë edhe pas afateve ligjore, gjë që sipas KMDLNj-së ndërhyn në parimin e prezumimit të pafajësisë.
KMDLNj ka ngritur shqetësime edhe për vlerësimin e pasurisë së ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi, pa një vendim të formës së prerë nga gjykata. Sipas tyre, kjo përbën presion të drejtpërdrejtë në procesin gjyqësor.
Në reagim thuhet se, ndryshe nga rasti i Sali Mustafa, ku vlerësimi i pronës është bërë pas vendimit përfundimtar, në rastet aktuale një praktikë e tillë po ndiqet pa vendim të gjykatës.
Tutje, KMDLNj vlerëson se gjykata dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar po veprojnë në mënyrë që, sipas tyre, cenon të drejtën për një gjykim të drejtë, të paanshëm dhe të pavarur, duke pretenduar ndikime nga politika ndërkombëtare dhe faktorë të brendshëm.
Organizata shpreh gjithashtu shqetësim për trajtimin e personave të paraburgosur në Hagë, duke theksuar se atyre po u mohohet një proces i drejtë dhe transparent. Në përfundim, KMDLNj thekson se, bazuar në këto zhvillime, ekzistojnë dyshime për mënyrën e vendimmarrjes në këto raste.




