Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka uruar Aleancën e Atlantikut të Veriut (NATO) me rastin e 77-vjetorit të themelimit të saj, duke e cilësuar atë si një ndër arritjet më të rëndësishme të bashkëpunimit ndërkombëtar.
Në mesazhin e tij, Begaj theksoi se NATO është ndërtuar mbi besimin dhe solidaritetin, duke garantuar lirinë, sigurinë dhe mbrojtjen e përbashkët ndërmjet vendeve anëtare. Ai e cilësoi Aleancën si simbol të unitetit dhe përgjegjësisë kolektive, që mbron vlerat demokratike dhe forcon sigurinë euroatlantike.
Presidenti nënvizoi se Shqipëria, prej 17 vitesh anëtare e NATO-s, vazhdon të japë kontribut aktiv në misionet e saj, duke dëshmuar përkushtimin ndaj paqes dhe sigurisë globale. Sipas tij, rritja e buxhetit të mbrojtjes dhe angazhimi në operacionet e Aleancës janë tregues i këtij përkushtimi.
NATO u themelua më 4 prill 1949, pas Luftës së Dytë Botërore, me
nënshkrimin e Traktatit të Atlantikut të Veriut. Sot, ajo përbëhet nga 32 shtete anëtare dhe funksionon mbi parimin e mbrojtjes kolektive, ku një sulm ndaj njërit konsiderohet sulm ndaj të gjithëve.
Shqipëria është pjesë e NATO-s që nga viti 2009 dhe konsiderohet një partnere aktive dhe e besueshme në kuadër të Aleancës.




