Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka kritikuar vendimin e Kryesisë së Kuvendit për të mos përzgjedhur Sekretarin e Përgjithshëm dhe për të shpallur një konkurs të ri, duke e cilësuar këtë si veprim pa bazë ligjore.
Sipas IKD-së, kjo qasje përbën shkelje të ligjit dhe ndërhyrje arbitrare në një proces që tashmë kishte përfunduar, duke krijuar një precedent të rrezikshëm për funksionimin institucional.
Në reagim theksohet se mungesa e vendimmarrjes në Kryesi ka lënë Kuvendin në një situatë bllokade, duke dëmtuar funksionimin normal të institucionit.
IKD i bëri thirrje Kuvendit që të rikthejë ligjshmërinë duke përzgjedhur një nga kandidatët ekzistues dhe të shmangë praktikat që cenojnë besimin e qytetarëve në institucione.




