Prokuroria Speciale e Kosova ka paraqitur kërkesë për caktimin e paraburgimit ndaj Aco Dejanovic, ish-polic serb, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “krim i luftës kundër popullsisë civile” gjatë luftës në Kosovë.
Sipas prokurorisë, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur më 9 mars 1999 në fshatin Ivajë dhe zonat përreth Kaçaniku, ku i dyshuari, në bashkëpunim me pjesëtarë të tjerë të forcave serbe, ka ndaluar rreth 400 civilë shqiptarë.
Nga këta, 13 persona dyshohet se janë rrahur dhe torturuar në mënyrë brutale, duke pësuar lëndime të rënda fizike dhe pasoja psikologjike.
Gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit janë sekuestruar armë, municion, uniforma policore dhe pajisje komunikimi që dyshohet se i përkasin periudhës së luftës.
Hetimet për rastin janë në zhvillim.




