Ministria e Drejtësisë e Maqedonisë së Veriut ka reaguar pas protestës së studentëve shqiptarë, duke theksuar se provimi i jurisprudencës zhvillohet në përputhje të plotë me ligjin në fuqi.
Në reagimin zyrtar thuhet se bëhet fjalë për një provim profesional, i cili nuk përbën procedurë administrative, por një mekanizëm për të garantuar cilësinë dhe profesionalizmin në sistemin juridik. Ministria nënvizon se mbetet e hapur për dialog konstruktiv dhe është e gatshme të shqyrtojë nismat dhe propozimet në kuadër të kompetencave ligjore.
Institucioni i udhëhequr nga Igor Fillkov ka shprehur gjithashtu kritika lidhur me mungesën e simboleve shtetërore gjatë protestës së studentëve shqiptarë.
Në të njëjtën kohë, Ministria ka ngritur shqetësime për rolin e një partie opozitare në organizimin e protestës, duke lënë të kuptohet për mundësi të instrumentalizimit politik dhe përdorimit të retorikës etnike për qëllime të caktuara.




